88
 1 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje. 
 2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time, 
 3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol. 
 4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë. 
 5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote. 
 6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat. 
 7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela) 
 8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal. 
 9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia. 
 10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela) 
 11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit? 
 12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës? 
 13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes. 
 14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde? 
 15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur. 
 16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar, 
 17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur. 
 18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.