22
 1 Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:  2 “Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.  3 Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.  4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: “U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë”.  5 Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.  6 Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.  7 Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.  8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.  9 Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.”  10 Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.  11 Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;  12 dhe i tha: “Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?”. Dhe ai mbylli gojën.  13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh”.  14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”.  15 Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.  16 Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.  17 Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo?”.  18 Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë?  19 Më tregoni monedhën e taksës”. Atëherë ata i treguan një denar.  20 Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?”.  21 Ata i thanë: “E Cezarit”. Atëherë ai u tha atyre: “Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë”.  22 Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.  23 Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën  24 duke thënë: “Mësues, Moisiu ka thënë: “Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t’i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.  25 Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.  26 Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.  27 Në fund vdiq edhe gruaja.  28 Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja”.  29 Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: “Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.  30 Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.  31 Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç’ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:  32 “Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit”? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve”.  33 Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.  34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.  35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:  36 “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?”.  37 Dhe Jezusi i tha: ““Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”.  38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.  39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”.  40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët”.  41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:  42 “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?”. Ata i thanë: “I Davidit”.  43 Ai u tha atyre: “Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:  44 “Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua”?  45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?”.  46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.