5
 1 Ky është libri i prejardhjes së Adamit. Ditën që Perëndia krijoi njeriun e bëri të ngjashëm me Perëndinë.  2 Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi dhe u dha emrin njeri, ditën që u krijuan.  3 Adami jetoi njëqind e tridhjetë vjet dhe i lindi një djalë që i përngjiste, një lloj në shëmbëlltyrë të tij dhe e quajti Seth.  4 Mbas lindjes së Sethit, Adami jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija.  5 Kështu Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet; pastaj vdiq.  6 Sethi jetoi njëqind e pesë vjet dhe i lindi Enoshi.  7 Pas lindjes së Enoshit, Sethi jetoi tetëqind e shtatë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.  8 Kështu tërë koha që Sethi jetoi qe nëntëqind e dymbëdhjetë vjet; pastaj vdiq.  9 Enoshi jetoi nëntëdhjetë vjet dhe i lindi Kenani.  10 Mbas lindjes së Kenanit, Enoshi jetoi tetëqind e pesëmbëdhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.  11 Kështu Enoshi jetoi gjithsej nëntëqind e pesë vjet; pastaj vdiq.  12 Kenani jetoi shtatëdhjetë vjet dhe i lindi Mahalaleeli.  13 Mbas lindjes së Mahalaleelit, Kenani jetoi tetëqind e dyzet vjet dhe pati bij e bija të tjerë.  14 Kështu Kenani jetoi gjithsej nëntëqind e dhjetë vjet; pastaj vdiq.  15 Mahalaleeli jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Jaredi.  16 Mbas lindjes së Jaredit, Mahalaleeli jetoi tetëqind e tridhjetë vjet dhe pati bij e bija të tjerë.  17 Kështu Mahalaleeli jetoi gjithsej tetëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet; pastaj vdiq.  18 Jaredi jetoi njëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet dhe i lindi Enoku.  19 Mbas lindjes së Enokut, Jaredi jetoi tetëqind vjet dhe pati bij dhe bija të tjerë.  20 Kështu Jaredi jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy vjet; pastaj vdiq.  21 Enoku jetoi gjashtëdhjetë e pesë vjet dhe i lindi Methuselahu.  22 Mbas lindjes të Methuselahut, Enoku eci me Perëndinë treqind vjet dhe pati bij e bija të tjerë.  23 Kështu Enoku jetoi gjithsej treqind e gjashtëdhjetë e pesë vjet.  24 Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete.  25 Metuselahu jetoi njëqind e tetëdhjetë e shtatë vjet dhe i lindi Lameku.  26 Mbas lindjes së Lamekut, Metuselahu jetoi shtatëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindën bij e bija.  27 Kështu Metuselahu jetoi gjithsej nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjet; pastaj ai vdiq.  28 Lameku jetoi njëqind e tetëdhjetë e dy vjet dhe i lindi një bir;  29 dhe i vuri emrin Noe, duke thënë: “Ky do të na ngushëllojë për punën tonë dhe për mundin e duarve tona, për shkak të tokës që Zoti e ka mallkuar”.  30 Pasi solli në këtë botë Noeun, Lameku jetoi pesëqind e nëntëdhjetë e pesë vjet dhe i lindën bij e bija të tjerë.  31 Kështu Lameku jetoi gjithsej shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjet, pastaj ai vdiq.  32 Noeut, në moshën pesëqind vjeç, i lindi Semi, Kami dhe Jafeti.