83
 1 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi! 
 2 Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën. 
 3 Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron. 
 4 Ata thonë: “Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më”. 
 5 Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje. 
 6 Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët, 
 7 Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros; 
 8 dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela) 
 9 Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit, 
 10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën. 
 11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna, 
 12 sepse ata thanë: “Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë”. 
 13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës. 
 14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet, 
 15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd. 
 16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot. 
 17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin; 
 18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.